Në punimet e Kuvendit Vjetor të Rrjetit të Organizatave për Zhvillim Rural të Kosovës u diskutua dhe u vendos për të gjitha pikat e rendit të ditës, i cili në fillim u miratua nga anëtarët e pranishëm. Fillimisht u raportuan zhvillimet, aktivitetet, sfidat dhe të arriturat e fundit në nivel vendi, por edhe në nivel rajonal e evropian.
Pas prezantimit dhe diskutimeve, anëtarët-delegatët e pranishëm me shumicë votash miratuan Rishikimin e Strategjisë së RROZHRK-së (2017–2021) nga perspektiva gjinore, duke i dhënë rëndësi integrimit dhe pjesëmarrjes aktive të grave në objektivat dhe programet e Rrjetit në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
Kuvendi me shumicë votash plotësoi vendet vakante në Bord me anëtarë të rinj, të cilët u propozuan dhe u votuan për t’iu bashkëngjitur strukturës aktuale të Bordit me mandat vijues deri në zgjedhjet statutare.
Tashmë me legjitimitet të plotë dhe zotim zyrtar, RROZHRK u ofron grave aktive hapësirë strategjike, organizative, strukturore dhe programore përmes përfshirjes cilësore në Bord dhe në ekipin ekzekutiv të Rrjetit.
Kuvendi Vjetor u zhvillua me sukses, me kuorum të mjaftueshëm dhe kontribut përmbajtësor nga anëtarët-delegatët nga shumica e komunave dhe nga komunitetet e ndryshme, pjesë integrale e Rrjetit. Raporti i plotë do t’u shpërndahet delegatëve të unioneve, organizatave, shoqatave dhe grupeve anëtare të Rrjetit.


